Është e qartë që ditët e lavdishme të aktorit amerikan, Eddie Murphy, kanë kaluar, por 51-vjeçari edhe më tutje fiton shuma të majme.
Duke pasur parasysh se filmat e tij të fundit ishin një dështim i plotë, Murphy u shpall aktori më i stërpaguar në Hollivud.
Sipas revistës prestigjioze amerikane “Forbes”, për çdo dollar që ka fituar Eddie nga tre filmat e tij të fundit “Imagine That”, “A Thousand Words” dhe “Meet Dave”, prodhuesve të filmave u janë kthyer mesatarisht nga dy dollarë e gjysmë.
Filmi i tij i mëhershëm “Tower Heist” gjithashtu nuk e ka mahnitur audiencën dhe me këtë rast arkëtoi vetëm dyfishin e parave të investuara në këtë vepër, pra dyfishin e 75 milionë dollarëve.
Megjithatë, aktori ka paralajmëruar se nuk do të ndalet së krijuari. Madje kohë më parë ai zbuloi se është në bisedime me Axel Foleyn për të bërë një show televiziv të quajtur “Beverly Hills Cop”.
“Ajo që jam duke u përpjekur të bëjë me ‘Beverly Hills Cop’ tani është që të krijoj një shfaqje televizive, ku në rolin kryesor do të jetë Axel Foley, ai tani do të jetë shefi i policisë së Detroitit”, tha Eddie.
Ndërsa aktorja Katherine Heigl zë vendin e dytë në listën e yjeve më të stërpaguara në saje të fitimeve prej 37 milionë dollarëve nga filmi “One For The Money”, xhirimi i të cilit u ka kushtuar producentëve 40 milionë dollarë.
Reese Witherspoon – e cila së fundi lindi fëmijën e saj të tretë, gjithashtu dështoi për të joshur shikuesit në kinema këtë vit. Aktorë të tjerë që janë përfshirë në këtë listë janë edhe Sandra Bullock dhe Jack Black.
